Sunday, February 13, 2011

Xhungla e betonit me emrin Tiranë!


Duke u nisur nga një shkrim në Gazetën Laboremus të fillim-vitit 2002, i cili mban emrin e Endri Shabanit, tashmë drejtues i Transparency International Albania, me dhimbje konstatova se edhe mbas 9 vjetësh problematika që trajtohej ishte po e njëjta. Pasiviteti i të rinjve shqiptarë dhe pamundësia e të gjithë qytetarëve për të gjetur mjedise të përshtatshme, jo vetëm për shplodhje, vazhdojnë të jenë edhe sot një problem që haset shpesh.

Hapësirat publike në Tiranën e trumpetuar si një metropol europian janë zvogëluar, dhe po shkojnë drejt zhdukjes. Këto hapësira që duhet të kishin mbushur sheshet e një kryeqyteti policentrik, gjenden në formën e lulishteve apo më mirë të themi betonishteve aspak funksionale. Në vend të fushave të sportit, palestrave, pishinave, qendrave rinore multifunksionale, kinemave etj., sot gjejmë stola, bar, pemë, dhe rreth tyre mjedise të ndotura nga plehrat, ku koshat e mbeturinave janë një utopi (Tirana e 1 milion banorëve kerkon shumë herë më shumë se cka sot). Që një qytet të ketë këtë lloj organizimi apo planifikimi, ku supozohet se ambjentet e sipërmendura si domosdoshmëri duhet të jenë në periferi, do t’i duhet një super-platformë reformuese që vështirë se implementohet në qytetin tonë. Ndoshta,dikush mund të thotë me të drejtë se në gjendjen që janë hapësirat publike në Tiranë janë më mirë sesa të pushtuara nga kioskat dhe garazhdet, apo edhe se “pasioni” tipik i tranzicionit shqiptar,ai i pallateve! Një studim i fundit i Bashkimit Europian e rendiste Tiranën krahas Bukureshtit dhe Varshavës si kryeqytetet me nivelin më alarmant të përdorimit pa kriter te hapësirave publike me një raport 180 metër katrorë beton për 2.7 metër katrorë gjelbërim. Në qoftë se fizionomia e të menaxhuarit të këtij qyteti nuk ndryshon shpejt, atëhere legjendat e komandimit të kanaleve të TV-ve të fqinjit nga kolltuku i shtëpisë tënde apo zjarrëfikëseve që ngecin në kanionet e betonit do vazhdojnë të shtohen!

Ka shumë njerëz në Europën Perëndimore që mendojnë se sporti dhe qetësia shpirtërore ulin sëmundjet, kostot në shëndetësi dhe këto investohen përsëri nëpër ambjente që i mundësojnë ato. Ndoshta edhe për disa vite në vendin tonë nuk do të na jepet shansi të kemi këtë mentalitet të të bërit politikë. Tirana dhe tiranasit kanë për detyrë të shpëtojnë një brez të ngujuar nëpër kafene dhe karrige kompjuteri, që po rrezikojnë të kthehen në “mumje” brenda një “varreze” gjigande betoni!


KV